Në kuadër të Javës së Kujtesës dhe Unitetit, në shkollën tonë janë realizuar një sërë aktivitetesh edukative, humanitare dhe sensibilizuese me qëllim promovimin e respektit, mirëkuptimit, empatisë dhe bashkëjetesës ndërmjet nxënësve.

Gjatë kësaj jave janë zhvilluar këto aktivitete:
Vizitë në kishën “Shën Dimitri” në Preshevë, ku nxënësit dhe mësimdhënësit ndezën qirinj dhe morën pjesë në shërbesë për nder të viktimave të tragjedive që kanë prekur fëmijët dhe të rinjtë.

Punëtori edukative me temën “Fjalët tona lënë gjurmë”, e realizuar nga psikologia e shkollës Mirvete Krasniqi dhe profesoresha e gjuhës serbe Marina Jećimović, kishte për qëllim vetëdijesimin e nxënësve mbi ndikimin që kanë fjalët në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të nxënësve. Përmes diskutimeve interaktive, nxënësit reflektuan mbi rëndësinë e komunikimit të shëndetshëm, empatisë dhe mbështetjes emocionale, si dhe mbi pasojat e bullizmit dhe presionit verbal. Në kuadër të punëtorisë u theksua edhe rëndësia e zhvillimit të reziliencës dhe krijimit të marrëdhënieve më të shëndetshme në mjedisin shkollor dhe shoqëror.





Turnir humanitar në futboll të vogël, i organizuar me pjesëmarrjen aktive të profesorëve të edukatës fizike dhe mësimdhënësve të shkollës, ku morën pjesë edhe profesorët Miroslav Čuković dhe Dashnor Osmani. Turniri u zhvillua me ekipe të përziera nga nxënës të profileve dhe klasave të ndryshme, me qëllim forcimin e frymës së bashkëpunimit, solidaritetit dhe unitetit ndërmjet të rinjve.

Takim dhe ligjëratë me përfaqësues të stacionit policor të Preshevës, të cilët biseduan me nxënësit mbi rëndësinë e sigurisë, respektit reciprok, tolerancës dhe ruajtjes së paqes në mjedisin shkollor dhe shoqëror.
Në shenjë kujtimi dhe solidariteti, në oborrin e shkollës u lëshuan balona të bardha si simbol i paqes, kujtesës dhe shpresës.
Përmes këtyre aktiviteteve, shkolla jonë synon të forcojë vetëdijen tek të rinjtë për rëndësinë e fjalës, respektit, mbështetjes emocionale dhe krijimit të një ambienti shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë.





